Zhbllokimi i ngërçit politik në Spanjë duket ende larg. Kjo, pasi lideri i Partisë Socialiste përjashtoi përsëri mundësinë për të mbështetur Partinë e Popullit të kryeministrit Mariano Rajoy, e cila u rishpall fituese.
Vendimi i fundit i socialistëve ngre sërish mundësinë se vendi iberik mund t’u drejtohet kutive të votimit për herë të tretë, pas shtatë muajsh pasiguri politike. Zoti Rajoy tha se, ai nuk do të formojë një qeveri të re nëse kjo i kërkohet nga mbreti. Partia e Popullit është më e madhja në Spanjë, por sërish shumica e saj nuk mjafton për të formuar qeverinë. Zgjedhjet e përgjithshme të qerrshorit ishin të dytat të mbajtura në 6 muaj, pasi ato të dhjetorit patën të njëjtin rezultat. Subjekti në fjalë, i cili merr përsipër meritën për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, fitoi 137 nga 350 vende që ka Parlamenti spanjoll, 15 më shumë se 122 të marra në procesin e dhjetorit. Por Pedro Sanchez, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhjet e qershorit, theksoi se nuk do të ketë një “koalicion të madh” mes partive kryesore të djathta e të majta, sikundër ka ndodhur në disa vende europiane. “Në këtë moment, Partia Popullore nuk gëzon mbështetje. Në këtë moment, Partia Socialiste ka riafirmuar forcën e saj ndaj Rajoy”, ka deklaruar Sanchez.