Autoriteti rrugor i veriut pas pezullimit të Nikolin Dedvukaj do të drejtohet për një periudhë të pacaktuar nga një tjetër person. Ky është vendimi më i fundit që është marrë nga qendra. Në vend të Dedvukaj për një afat të pacaktuar do të jetë i komanduar Spartak Tarka.
Ky i fundit aktualisht mban pozicionin e drejtorit të standarteve në Autoritetin Rrugor të Veriut në Tiranë dhe njëkohësh për disa muaj do ketë në përgjegjësi edhe drejtorinë rajonale të Shkodrës. Drejtori i ri Tarka e ndan punën e tij mes Shkodrës dhe Tiranës duke qenë se është i angazhuar tashmë në dy pozicione drejtuese. Natyrisht që drejtimi i autoritetit rrugor të veriut nuk do vijojë për shumë kohë në këtë mënyrë por kjo është një zgjidhje momentale deri sa të emërohet një drejtor i ri apo deri sa të zbardhet e plotë çështja e Nikolin Dedvukaj që vazhdon të jetë i pezulluar dhe ende nuk është përjashtuar mundësia e rikthimit në pozicionin që ka patur. Për disa ditë me radhë e gjithë puna e autoritetit rrugor të veriut mbeti në ajër sepse askush nuk mund t’i jepte zgjidhje problematikave siç është amortizimi i një pjesë në urën e Bahçallekut. Ardhja e drejtorit të ri përmes komandimit pritet që t’i japë zgjidhje këtyre shqetësimeve. Ende nuk janë mësuar shkaqet e vërteta të pezullimit por ajo që dihet është se një komision po heton mbi veprimtarinë e Dedvukaj gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e tij. Nga sa mësohet vetë drejtori i pezulluar disa herë ka qenë në ministrinë e transporteve dhe me shumë gjasa do ta vijojë këtë çështje edhe me seanca gjyqësore për të provuar pafajsinë e tij dhe për të hedhur poshtë dyshimet e ngritura. Ky vendim për pezullim mban në vetvete jo pak mister duke qenë se Dedvukaj është një prej figurave kryesore të LSI në Shkodër dhe një prej drejtuesve të kësaj partie aq më tepër që ministria e transporteve ka një ministër nga radhët e LSI siç është Edmond Haxhinasto.