Pas Durrësit e Tiranës, operacioni i policisë së Shtetit kundër veprimtarive kriminale dhe paligjshmërisë është shtrirë edhe në Vlorë.
Forcat Speciale të Policisë së Shtetit, zbritën pasditen e të martës në zëmër të Vlorës.
Objekt i kontrollit ishin disa automjete dhe persona të dyshuar për përfshirë ne veprimtarinë e trafikimit të lëndëve narkotike dhe më të kaluar kriminale.
Siç tregojnë pamjet, efektivët e Policisë kryen kontrolle në disa makina në zonën e skelës, por kontrolle sipas burimeve ka pasur edhe në banesa e biznese.
Policia e shtetit ende nuk ka dalë me një njoftim për operacionin, por burime thonë se janë shoqëruar disa persona.
Aksioni sipas burimeve është zhvilluar nga Forca Lëvizëse Operacionale, por dhe struktura të tjera speciale pranë Policisë së Shtetit.
Katër ditë më parë, grupe të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcave RENEA zhvilluan një operacion Blitz në Elbasan, ku sipas burimeve në qendër ishin dy biznese.
Forcat speciale të Policisë janë përfshirë në një valë të gjerë aksionesh dhe kontrollesh në objekte të rëndësisë së veçantë por dhe zona të banuara.
Blutë thonë se aksionet janë në kuadër të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të Sigurisë Publike.