Nuk ka Superiore për Vllazninë të paktën edhe për një javë. Është ky verdikti i javës së 23-të në Kategorinë e Parë, me shkodranët që edhe pse fituan 3-0 ndaj Erzenit nuk zyrtarizuan ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Me pjesën e parë që u mbyll pa gola, në të dytën kuqeblutë kanë arritur të gjejnë rrjetën tre herë. Madje, një gjë të tillë e kanë bërë në 15 minutat e fundit të sfidës.

Kështu, ai që do zhbllokonte shifrat do ishte Junior, që realizon në minutën e 75-të. Nuk kalojnë as tre minuta dhe Tafili dyfishon shifrat. Ndërkohë në fundin e takimit është mbrojtësi Zeqaj që shënon golin e tretë në këtë sfidë.

Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 33 pikëve, 11 më shumë se Besëlidhja e vendit të dytë. Pikërisht fitorja e lezhjanëve ditën e djeshme ndaj Dinamos shtyn për javën e ardhshme rikthimin matematikisht të Vllaznisë në Superiore.

Javën e ardhshme, Vllaznia pret në shtëpi Korabin e Peshkopisë, ku pritet të zyrtarizojë edhe rikthimin në Superiore.

Artikulli paraprak‘LAJMËSI NUK PREKET’,PROTESTE PARA SË PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
Artikulli tjetërBASHA PARALAJMËRON: QEVERINË-BANDË E PRET BURGU