Në Lezhë mamografia nuk është një shërbim që kryhet pranë institucioneve të shëndetit. Aparatura qëndron në magazinë prej më shumë se 1 viti, pasi nuk funksionon.
Në mungesë të aparaturës së mamografisë, gratë dhe vajzat e Lezhës jane të detyruara ta marrin këtë shërbim në Shkodër apo Tiranë.
Ky është një problem që evidentohet pikërisht në këtë muaj që është edhe fushata sensibilizuese kundër kancerit të gjirit.
Mjekja Onkologe, Bardha Gjoni, thotë se kjo aparature është shumë e domosdoshme që të jetë në spitalin rajonal të Lezhës.
Në lidhje me këtë shqetësim, Drejtoria e Spitalit Rajonal të Lezhës thotë se presin që problemi të zgjidhet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi aparatura ka defekt që në momentin kur ajo i është dhuruar spitalit nga donatori.
Deri në momentin që të gjendet fondi, mamografia do të vijojë të mungojë, ndërkohe që ende nuk dihet se kur ky problem do të marrë zgjidhje.