Spitali rajonal i Shkodrës ka marrë një vendim për të ndarë vizitat ambulatore nga shtrimet në spital. Zëvendës drejtori i këtij spitali Egir Lezha thotë se vizitat dhe shtrimet do të funksionojnë në bazë të sistemit të referimit për pacientët dhe kjo është bërë për të shmangur praninë e tepërt të personave në spital apo edhe uljen e infeksioneve.
Zëvendës drejtori Lezha thotë se vizitat nuk do të zhvillohen më në spital si më përpara por tek poliklinika e cila ndodhet brenda mjediseve të spitalit deri sa të përfundojë rikonstruksioni i godinës së re.
Vizitat në poliklinikë brenda spitalit zhvillohen nga e hëna në të shtune deri në orën 14:00 bën të ditur Lezha i cili është edhe shef i poliklinikës.
Tashmë qytetarët nuk mund të futen më brenda spitalit siç ka ndodhur më përpara por duhet të respektojnë oraret ashtu siç edhe vizitat për probleme të lehta shëndetësore nuk mund të kryhen më në spital por pranë poliklinikës.