ITALIA ËSHTË NE VENDIN E DYTË NDËRSA NË TË TRETIN RENDITET MOLDAVIA. Shqipëria ka futbollin më të korruptuar në botë, ndërsa pas saj vjen Italia në vendin e dytë dhe Moldavia në vendin e tretë.
Kjo bëhet e ditur nga mediat italiane të cilat citojnë investigimin e kryer nga “Sportradar”, kompani eksperte në monitorimin e kuotave të basteve. Sipas investigimit të “Sportradar” të kryer nga ana e 400 bookmakersave ndërkombëtarë, vendi ynë ka futbollin më të korruptuar në botë, me një total prej 97 raporteve për trukim të ndeshjeve. Pas Shqipërisë renditet Italia e cila bëhet e ditur se ka rreth 70 ndeshje të Serie A, Serie B dhe Lega Pro, për të cilat dyshohet se rezultati i tyre ka qenë i paracaktuar. Ndërkohë fill pas Shqipërisë dhe Italisë renditet Moldavia me 66 ndeshje të trukuara. Në listën me 10 vendet me futbollin më të korruptuar renditen Estonia (46 ndeshje), Greqia (45 ndeshje), Rusia (42 ndeshje), Maqedonia (37 ndeshje), Bullgaria (35 ndeshje) ndërsa listën e mbyllin Letonia dhe Lituania me nga 31 takime të manipuluara. Sipas investigimit në vendin e fundit renditet Belgjika e cila pasur dyshime për vetëm 1 ndeshje të trukuar, ndërsa para saj gjenden Holanda dhe Franca me nga 2 ndeshje. Në investigimin e Sportradar janë marrë 142 472 ndeshje në total në 596 kampionate dhe turne të ndryshëm. Në totalin e këtyre ndeshjeve sipas raportit mësohet se janë 798 ndeshje rezultati i të cilave ka qenë i paracaktuar, ose “vetëm 0.56%” të totalit të ndeshjeve. Kjo nuk është hera e parë kur Shqipëria bëhet pjesë e dyshimeve për ndeshje të trukuara, pasi në rastin e fundit në ndeshjen Flamurtari Teuta e përfunduar me rezultatin 1-1 u dyshua për manipulime në rezultat. Më 10 shkurt, Komisioni i Etikës në FSHF vendosi pezullimin e futbollitëve Arjan Pisha i Elbasanit dhe Alfred Osmani për trukime të ndeshjeve.