Përfundimi i thuajse të gjitha punimeve ka bërë që tashmë në stadiumin e ri “Loro Boriçi” të nisin edhe provat e para përpara se të vihet tërësisht në funksion për zhvillimin e ndeshjeve të futbollit.
Përreth stadiumit është bërë prova e parë. Ndriçuesit e vendosur sedhe si aksesor zbukurues kudo përreth stadiumit janë ndezur për të parë jo vetëm se si duken por edhe se a funksionojnë. Kjo tregon se tashmë gradualisht në përfundimit të punimeve kanë nisur të bëhen edhe lidhjet elektrike dhe elektronike. Prova e parë është bërë me ndriçuesit jashtë stadiumit ndërsa në vijimësi priten edhe prova të tjera. Lidhjet elektrike dhe elektronike janë në përfundim e sipër dhe pasi të jenë të gatshme teknikisht atëherë do të bëhet edhe prova e gjithë impiantit të stadiumit “Loro Boriçi” ku do të testohen jo vetëm funksioni dhe lidhjet elektrike por edhe ato elektronike. Pas kësaj prove atëherë mund të zhvillohet edhe ndeshja e parë në stadiumin e ri e cila ende nuk është vendosur zyrtarisht se çfarë takimi mund të jetë dhe se cilat do jenë ekipet e para që mund të luajnë aty. E rëndësishme është se për sezonin e ardhshme Vllaznia ka gati stadiumin e ri ndërsa ajo që mbetet për t’u parë është nëse bashkia Shkodër do ta marrë apo jo në dorëzim pasi FSHF të jetë e gatshme për t’i dhënë çelësat bashkisë.