Punimet në stadiumin “Loro Boriçi” po vazhdojnë me ritme të kënaqshme ditët e fundit. Numri i punëtorëve të pranishëm në këtë kantier ndërtimi duket i konsiderueshëm dhe po punohet njëkohësisht në disa drejtime.

Natyrisht që vëmendja kryesore është përqendruar te rikonstruksioni i dy tribunave të vjetra. Ato duan edhe pak punë tashmë për të përfunduar sepse po punohet për hapjen e dyerve të reja dhe po ashtu edhe për ndërtimin e banjove dhe ambjenteve të tjera të domosdoshme për pushimin e ndeshjes. Ndërkohë edhe në tribunën qendrore, puna ka ecur me ritme të mira dhe mbase shumë shpejt, do të nisë edhe vënia e fasadave të xhamit. Nga ana tjetër, specialistët grekë që janë duke u marrë me punën e fushës, bëjnë të ditur se nga fundi i javës së ardhshme do të nisë shtrimi i tapetit të ri të fushës. Ka përfunduar drenazhimi i saj dhe tashmë po vendosen shtresat e duhura para se të vijë tapeti për t’u shtruar. Kësisoj gjërat në këtë impiant sportiv duket se po shkojnë mirë pavarësisht se duket shumë e vështirë që ndërtimi i plotë i “Loro Boriçit” të përfundojë në muajin shkurt të vitit që vjen. Të paktën kështu kanë deklaruar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit megjithatë duhet parë nëse do ndodhë vërtetë kështu apo jo. E rëndësishme është që pas miratimit të kontratës në mes Bashkisë Shkodër dhe Federatës, punimet kanë avancuar dhe tashmë duhet pritur përfundimi sa më parë i tij.

Artikulli paraprakTRANSFEROHEN 7 PROKURORË, JA EMRAT
Artikulli tjetërRRITET PAPUNËSIA ME 0.2 PIKË PËRQINDJE