Të gjithë në Shkodër ëndërrojnë që pas 29 marsit të shohin Vllazninë duke luajtur në stadiumin e ri “Loro Boriçi”.
Në fakt është në dyshim nëse kjo gjë do të arrihet. Për të përfunduar totalisht të gjitha punimet mungon një shumë prej afro 3 milionë eurosh. Në total stadiumi “Loro Boriçi” kushton 24 miliard lekë të vjetra. UEFA ka dhënë 4 milion euro që janë afro 5 miliard lekë të vjetra. Nga ana e saj qeveria miratoi fondin prej 15 miliard lekësh të vjetra ose rreth 10 milion euro për stadiumin. Deri tani vlera shkon në 20 miliard lekë të vjetra dhe duhen edhe 4 miliard lekë të vjetra. Ajo që mbetet problem është se kur do të jepen këto para sepse në të kundërt stadiumi “Loro Boriçi” mbetet gjysmak. Nuk arrihet të vendoset pista e shumë pritur e tartanit për atletikën e po ashtu disa punime në tribuna, brenda dhe jashtë stadiumit. Krijohet një ngërç sepse bashkia e merr në dorëzim stadiumin vetëm kur të përfundojnë të gjitha punimet sipas standarteve ndërkombëtare. Sipas nenit 3 në marrëveshjen që ka me bashkinë, edhe pse punimet nuk përfundohen, federata mund t’i thotë bashkisë se në bazë të marrëveshjes duhet ta merrni në dorëzim stadiumin sepse plotësohen procedurat ligjore ku ndër të tjera është edhe VKM me të cilën qeveria akordoi 10 milion euro. Nuk mbaron me kaq. Në nenin 4 parashikohet se rikonstruksioni duhet të përmbush standartet dhe kushtet teknike të miratuara nga federatat ndërkombëtare të sportit por edhe duhet ta dorëzojë në përputhje me projektin e plotë. Mes nenit 3 dhe 4 qartësisht krijohet një vakum ligjor që mund të çojë edhe në konflikt bashkinë me federatën. E vetmja mënyrë për ta shmangur këtë është që të gjehen edhe 3 milion euro të tjera. Në të kundërt bashkia nuk mund ta marrë në dorëzim nëse kërkon të respektojë marrëveshjen dhe si rrjedhojë as Vllaznia nuk mund të luaj pas 29 marsit edhe pse stadiumi “Loro Boriçi” mund të jetë i gatshëm sa për ndeshjet e kampionatit shqiptar.