Në pak ditë nga ndeshja miqësore e Shqipërisë me Marokun, stadiumi “Loro Boriçi” është në fazat e fundit të përgatitjes për këtë sfidë.
Mbrëmjen e së enjtes përfaqësues të firmës shqiptare që vendosën ndriçimin bashkë me firmën e nënkontraktuar nga UEFA kanë mbërritur në Shkodër për të bërë matjet dhe për të parë cilësinë dhe punimet për ndriçimin e stadiumit të ri të rikonstruktuar thuajse nga fillimi. Ajo çfarë bëhet e ditur është se ndriçimi në stadiumin e Shkodrës është përllogaritur për regjistrim të cilësisë së lartë HD. Përfaqësuesi i firmës të nënkontraktuar nga UEFA ka parë dhe ka matur me imtësi çdo pëllëmbë brenda dhe jashtë fushës së blertë. Pasi të kryej edhe ky process, atëherë UEFA do të sjellë një raport përfundimtar dhe të bëjë ose jo çertefikimin e stadiumit përsa i përket edhe ndriçimit. Impianti i ri “Loro Boriçi” ka katër shtylla të mëdha ndriçimi me prozhektor 2 mijë vat dhe janë të vendosura thuajse në të njëjtin vend ku kanë qenë më përpara. Po ashtu edhe mjediset e brendshme dhe pjesët e jashtme janë tërësisht të ndriçuara. Deri tani firma që ka bërë punimet ka dorëzuar një pjesë të tyre në FSHF dhe tashmë do të bëjë edhe dorëzimin e pjesëve fizike shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Sa i përket punimeve dhe lidhjeve elektrike dhe elektronike kanë përfunduar të gjitha dhe stadiumi “Loro Boriçi” është gati për të pritur ndeshjen e parë miqësore me 31 gusht mes Shqipërisë e Marokut, sfidë e cila shërben edhe për inagurimin e impiantit të ri modern. Ajo që mbetet ende një mangësi është pista e tartanit që nuk është vendosur por që FSHF ka premtuar se do të vendoset shumë shpejt.