Stadiumi i ri i Shkodrës “Loro Boriçi” është në ditët e fundit të rikonstruksionit.
Shpesh herë janë dhënë afate por janë shtyre duke mos arritur që të respektohen. Ditët e fundit në stadiumin e Shkodrës kanë nisur që të vendosen kolonat e larta me prozhektorët që do të ndriçojnë në ndeshjet që mund të luhen në orët e natës. Ashtu si më përpara do të jenë 4 shtylla ndriçuese që do të vendosen në 4 pozicione të ndryshme. Në krahasim me kolonat e mëparshme shumë pak ka ndryshuar sepse do të jenë pothuajse në të njëjtat vende ku kanë qenë por të spostuara në vetëm pak metra. Deri në këto momente është vendosur njëra prej shtyllave ndriçuese ndërsa është drejt përfundimit edhe e dyta dhe në ditët në vijim pritet që të montohen edhe 2 të tjerat për të përmbyllur edhe çështjen e prozhektorëve. Kjo tregon se punimet në stadiumin “Loro Boriçi” pothuajse kanë përfunduar sepse sipas inxhinierëve, kolonat e ndriçimit janë lënë të fundit. Po ashtu ka përfunduar edhe instalimi i dyerve për hyrjen elektronike të tifozëve në shkallët e stadiumit. Tashmë tifozët mendohet se do të futen në stadium vetëm përmes biletave elektronike dhe jo më si më përpara. Gjithsesi ngjitur me pjesët ku tifozët duhet të bëjnë check-in ka edhe dyer normale që në raste të veçanta mund të përdoren për hyrjen dhe daljen e tifozëve. Punimet e tjera në stadiumin e ri kanë marrë fund dhe tashmë pritet vetëm të bëhen lidhjet elektrike e më pas të bëhet edhe prova me sistemin e ri të instaluar për t’i lënë më pas vend ndeshjeve të para që mund të zhvillohen deri sa të vijë momenti për nisjen e sezonit të ardhshëm ku Vllaznia ka të gatshme shtëpinë e re moderne.