Kjo javë shënoi nisjen e vitit të ri akademik në të gjithë universitetet e vendit. Trupa mësimorë shkencore është një nga faktorët më të rëndësishëm në cilësinë e universiteteve.
Të dhënat e fundit të disponueshme, për vitin akademik 2017/2018, referojnë se rreth 59.1% e Profesorëve ishin burra, ndërsa 40.9% ishin gra. Në krahasim me pesë vite më parë përqindja e grave me titullin profesor është rritur. Kështu sipas të dhënave të INSTAT për vitin akademik 2012/2013, rreth 71.4% e Profesorëve ishin burra, ndërsa 28.6% e tyre ishin gra. Prej atij vit, përqindja e grave që kanë titullin “Profesor” është rritur ndjeshëm.
Po ashtu është rritur edhe përqindja e grave me titullin “Doktorë”, madje duke tejkaluar edhe numrin e burrave që mbajnë këtë titull.
Në vitin e fundit me të dhënat e disponueshme, gratë me titullin “Doktorë” përbënin 60.5% të trupës mësimore shkencore efektiv në arsimin e lartë, përkundrejt 39.5% që ishin burra.
Megjithatë në grupin e mësimdhënësve që nuk kanë tituj gratë sërish kanë përqindjen më të lartë. Për vitin akademik 2017/2018, rreth 61.7% e stafit pa tituj ishin gra, ndërkohë që burrat e përfshirë në mësimdhënie dhe që nuk kanë një titull përbëjnë 38.3%.
Stafi universitar në vitin 2018
Sipas të dhënave mbi përbërjen e stafit universitar të ndarë sipas gjinisë në vitin 2018, vetëm një grua mbante pozicionin si rektore, përkundrejt 10 burrave që kishin këtë pozicion 9shiko tabelën). Si zëvendës rektor e mbanin 14 burra dhe 8 gra, si dekanë 35 burra dhe 18 gra, zëvendës dekanë janë regjistruar nga rektoratet 30 burra dhe 28 gra.
Ndërsa si përgjegjës departamenti, janë 122 burra dhe 111 gra.
INSTAT: Trupi mësimor sipas niveleve arsimore
Në vitin akademik 2017/2018, në trupin mësimor mbizotërojnë gratë në ciklin e ulët dhe atë të mesëm, përkatësisht 74,0 % dhe 66,2 % e mësuesve të secilit nivel. Në nivelin e arsimit të lartë mbizotërojnë burrat, përqindja ndaj grave e të cilëve rritet me rritjen e gradës në trupin akademik. Gratë me titull Profesor janë 40,9 %, ato me titull Doktor janë 60,5 % dhe Docentë dhe Pedagogë pa tituj janë 61,7 %, krahasuar me burrat.
Peshën kryesore në diplomat e marra sipas fushave të studimit në arsimin e lartë, e zë ajo e shkencave të biznesit, administrimit dhe ligjit për të dyja gjinitë. Fushat e studimit ku femrat diplomohen më shumë janë biznes, administrim dhe ligj (27,4 %), shëndet dhe mirëqenie (17,5 %), arte dhe humanitare (12,0 %).
Ndërsa fushat e studimit, ku diplomohen më së shumti djemtë, janë biznes administrim dhe ligj (30,1 %), inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (16,1 %)dhe teknologjitë e informacionit (10,4 %). Fusha e studimit, më e dominuar nga vajzat e diplomuara është ajo e shëndetit dhe mirëqenies në të cilën 78,9 % e studentëve të diplomuar janë vajza,
ndjekur nga ajo e arsimit me 77,7 % të studentëve të diplomuar vajza, dhe arte dhe shkenca humane (74,2 %). Ndërsa djemtë dominojnë më shumë në fushën e shërbimeve (71,1 % e të diplomuarve janë djem), ndjekur nga inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (61,7 %), si dhe teknologjia e informacionit me 56,3 %.