Një tjetër pjesëtar i familjes së ish-diktatorit Benito Musolini po synon një karrige në Parlamentin Europian.
51-vjeç Kaio Xhulio Çesare Musolini thotë se platforma e tij politike vë përpara interesat kombëtarë dhe sfidon politikat aktuale të BE-së si censurimi, globalizmi, emigracioni apo ekstremizmi islamik.
Stërnipi i ish-diktatorit fashist italian, Benito Musolini, po kandidon për zgjedhjet europarlamentare që mbahen muajin e ardhshëm.
Mediet italiane raportojnë se 51-vjeçari Kaio Xhulio Çesare Musolini do të garojë nën siglën e partisë së vogël ultradjathtiste “Vëllezërit e Italisë”.
Ish-oficeri i nëndetëses thotë se ai e konsideron veten një postfashist me vizionin për të mbrojtur interesat e kombit, dhe se frikërat për rikthimin e doktrinës famëkeqe janë thjesht imagjinare.
Musolini: “Fashizmi vdiq bashkë me stërgjyshin tim, dhe vlen vetëm të studiohet nga historianët. Por unë në botën ku jetojmë shoh shumë rreziqe të tjera, siç janë shtypja e mendimit të lirë, globalizmi, diktatura e të qenit poltikisht korrekt, emigracioni i pakontrolluar, kontrolli i plotë që ushtrojnë disa grupe të vogla financiare, apo ekstremizmi islamik.”
Stërnipi i diktatorit fashist i shtohet të paktën dy të afërmve të tjerë që po ashtu militojnë politikisht në vend dhe në Parlamentin Europian.
Por pas shpalljes së kandidaturës së tij fundjavën e kaluar, Çezare Musolini njoftoi se faqja e tij personale ishte fshirë nga rrjeti social, Facebook, së bashku me kontot e disa liderëve neofashiste italianë.
Stërgjyshi i tij, Benito Musolini, i njohur ndryshe si Duçe, drejtoi Italinë për dy dekada shekullin e kaluar, duke e udhëhequr vendin në Luftën e Dytë Botërore në aleancë me liderin nazist të kohës, Adolf Hitlerin, madje duke urdhëruar edhe pushtimin e Shqipërisë në prill të vitit 1939.
Partitë neofashiste kanë mbetur pjesë e peizazhit politik italian të pasluftës por mbështetja dhe promovimi i fashizmit në vend konsiderohet krim.