Shkarkimi i Kristian Panuçit ka vënë në lëvizje FSHF-në dhe njerëzit pranë Armand Dukës për të gjetur pasuesin e tij.

“Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive mëson se në listë është shtuar edhe një emër i madh i futbollit italian, por edhe europian. Roberto Donadoni mësohet të jetë një tjetër emër i shtuar në listën e dëshirave.

KONTAKTI

Nga sa bëhet me dije, ishtrajneri i Kombëtares italiane të futbollit është kontaktuar nga përfaqësues të FSHF-së për të negociuar në lidhje me postin e trajnerit të Kombëtares. Trajneri nga Cisano e Italisë, me një CV shumë të pasur është momentalisht trajner i lirë dhe me sa duket ka qenë i hapur për të negociuar.

55-vjeçari ka drejtuar në të shkuarën Italinë apo edhe skuadra të rëndësishme të kampionatit italian, si Napoli apo edhe Bolonja. Kjo ka qenë edhe skuadra e tij e fundit me të cilën ndërpreu marrëveshjen në vitin 2018.

Për Shqipërinë, do të ishte një trajner i madh dhe me shumë karrierë në të shkuarën e tij, jo vetëm si futbollist, por edhe si trajner. Në këtë pikë, edhe kërkesat e tij mund të jenë disi më të larta në krahasim me kandidatët e tjerë në listë, por risku me Panuçin mund ta bëjë Dukën dhe FSHFnë, që të mos përsëritet e njëjta gjë me një tjetër njeri pa eksperiencë në drejtim.

KANDIDATËT

Ndaj, Donadoni mund të shihet me prioritet për nga vetë e shkuara dhe përvoja e tij. Italiani është një prej emrave më të njohur në listën e kandidatëve që janë kontaktuar apo edhe të atyre që do të kontaktohen së afërmi, ndaj duket që “steka e Kombëtares” mund të rritet me një afrim të tillë në krye të stolit.

Donadoni u ul në stolin e Kombëtares së Italisë menjëherë pas fitimit të Kupës së Botës në vitin 2006, duke pasuar Lipin në krye të “axurrëve”. Mbetet për t’u parë nëse presidenti i FSHFsë,

Armand Duka do të thellohet në negociatat me Donadonin apo do të vijojë shtimi i listës me të tjerë kandidatë për të pasuar Panuçin, teksa edhe Edi Reja mbetet një prej favoritëve në këtë listë.

Artikulli paraprakALFRED MOISIU I PRERË: KOSOVA ËSHTË KRAHINË E SHQIPËRISË
Artikulli tjetërNDAHET NGA JETA LUDOVIK DEGA, NJE NDER THEMELUESIT E PD SHKODER