Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka informuar se këtë të enjte ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Ramush Haradinaj rreth konstatimeve të përftuara nga takimi i të së mërkurës të ministrave të Jashtëm të NATO-s për gjendjen e Ballkanit Perëndimor.
Ai u shpreh se Beogradit dhe Prishtinës iu ka theksuar se duhet të tregojnë gjakftohtësi dhe përmbajtje, si dhe të shmangin çfarëdo deklarate apo veprim provokativ.
“Gjatë bisedës me Haradinajn ngrita shqetësime për planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri. Ia theksova se një veprim i tillë është i papërshtatshëm dhe kundër këshillave të shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik.
Kam përsëritur se mandati i Forcës së Sigurisë evoluon dhe NATO duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg bëri me dije se me presidentin Vuçiç ka folur edhe rreth nevojës urgjente që të ulen tensionet midis vendit të tij dhe Kosovës.
“Ua kam rikujtuar të dyve se dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të mbetet e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. NATO mbetet e angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, përmes misionit paqeruajtës të KFOR-it të mandatuar nga OKB-ja”, u shpreh më tej sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Në përmbylljen e djeshme të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Jens Stoltenberg tha publikisht se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”.