Strasburgu refuzon për herë të dytë kandidatet shqiptare
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i ka refuzuar sërish tre kandidatët nga Shqipëria për këtë gjykatë: Aurela Anastasi, Sokol Berberi dhe Aleksandër Muskaj. Gjykata në fjalë, pas refuzimit të kandidaturave të paraqitura, ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama dhe nga qeveria shqiptare që t’i paraqitet një listë e re kandidatësh. Refuzimi i të zgjedhurve të qeverisë shqiptare nga ky institucion i rëndësishëm ndodh në kohën kur Kryeministri Rama po insiston më shumë se asnjëherë të reformojë sistemin e drejtësisë duke filluar me Vetingun, procesin që e ka kthyer në kryefjalën e ditës. Qeveria Rama u detyrua të dërgonte këta emra pas një refuzimi të parë në muajin shtator, kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ia rrëzoi listën pa e marrë fare në shqyrtim dhe ishin kandidatë: Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe ish Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.