Me rastin e festave të fundvitit, në ambjentet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Shkodrës, dhjetra studentë janë bërë pjesë e nismës së dhurimit të gjakut.
Qeset e gjakut të mbledhura në këtë nismë vullnetare pritet të shkojnë për të gjithë fëmijët me talasemi në qytete të ndryshme të vendit. Sipas koordinatores së Kryqit të Kuq në Shkodër, Vera Gjinaj, pjesëmarrja duket mjaft e madhe, duke treguar edhe një sensibilizim të madh të të rinjve për dhurimin e gjakut. Vetë studentët që u bënë pjesë e kësaj nisme humane që ndihmon me dhjetra fëmijë që kanë nevoja emergjente për gjak shprehen të emocionuar, duke e quajtur këtë si akt heroizmi.
Dhurimi i gjakut në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja u bë i mundur përmes një bashkëpunimi të gjerë të EKO Mendje, Kryqit të Kuq Shkodër, Drejtorisë së Shërbimit Publik, Qendrës Genesis dhe Infermierisë së Spitalit Rajonal të Shkodrës. Të gjithë dhuruesit përfitojnë paketën e plotë të analizave falas, të cilat kanë një vlerë prej 170 mijë lekëve të vjetra.