Studentët kanë bojkotuar sërish mësimin duke nisur marshimin drejt ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të protestuar.

Qeveria u tërhoq dje duke shfuqizuar pikën 4 të ligjit nr. 288 të majit të 2018 për tarifën për kreditet për përsëritësit, ndërsa për tre pikat e tjera u njoftua ngritja e grupeve të punës.

Pas vendimit, tre universitete i Shkodrës, Durrësit dhe ai i Mjekësisë në Tiranë, ndërprenë protestën, por një pjesë e fakulteteve të Universitetit të Tiranës do të protestojnë sërish sot.

Zyrtarisht ata kërkojnë plotësimin edhe të tre kërkesave të tjera, përgjysmim i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve të konvikteve dhe që bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord.

Por në faqen e Facebooku-t të Universitetit Bujqësor të Tiranës, studentët përveç tre kërkesave zyrtare, njoftojnë se së bashku me përfaqësues të forumeve dhe klubeve studentore të UBT-së, përfaqësues të 5 fakulteteve,

Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit; Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit; Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit; Fakultetit të Mjekësisë Veterinare; Fakultetit të Shkencave Pyjore kanë vendosur 10 kërkesa të reja.

Studentët e UBT deklarojnë se këta kërkesa janë të panegociueshme duke i cilësuar të shenjta.

“Ne jemi të gatshëm të luftojmë për t’i fituar këto sfida një e nga një, njësoj si studentët e Bashkimit Europian para 30 – 40 vitesh nëpërmjet lobimit, advokimit dhe protestave në vendet e tyre. Jemi të gatshëm të diskutojmë me këdo që merr përsipër të zgjidhë 10 kërkesat e studentëve të UBT-së”.

Kërkesat zyrtare
1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit u shfuqizua nga qeveria)
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit. (grup pune për të negociuar)
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve. (grup pune për të negociuar)
4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. (grup pune për të negociuar)

Kërkesat e reja të studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës:
1- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;
2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së, buxheti për vitin 2019;
3- Reduktimi tarifës me 30% për vitin akademik 2018 – 2019;
4- Reduktimi tarifës me 50 % për vitin akademik 2019 – 2020;
5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;
6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;
7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;
8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;
9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;
10- Rritja nga 10% në 40% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

Artikulli paraprakRAPORTI I OBSH: AKSIDENTET RRUGORE VRASIN NJË PERSON ÇDO 24 SEKONDA
Artikulli tjetërMINISTRJA NIKOLLA KËRKON TAKIM, STUDENTËT E REFUZOJNË: DUAM ZGJIDHJE, JO NEGOCIATA