Studentët vijojnë të sfidojnë reshjet e shiut para godinës së kryeministrisë. Sot është dita e 11 që ata do të kërkojnë me ngulm plotësimin e pikave të adresuara me shkresë zyrtare tek kryeministria.
Studentët vijojnë të jenë të vendosur se nuk do të ketë asnjë dialog dhe negociata me shefin e ekzekutivit pa i plotësuar më parë të 8 pikat, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga kryeministri.
Nderkohe numri i studentëve që po protestojnë para kryeministrisë eshte shtuar pasi atyre i janë bashkuar dhe banorë të Astirit
“Ne na bashkon padrejtësia e madhe. Sepse ata janë qytetarë dhe të gjithë janë të ftuar të protestojnë para kryeminsitrisë” tha një student
Banorët bëjnë thirrje me megafon: Jemi me studentët!
“Kemi një kauzë të përbashkët. Drejtësia! Na janë shkelur të drejtat! Këtu jam si prind për të mbështetur të drejtat e fëmijëve të mi, studentë! tha një banore.
Nderkohe Kryeministri vijon të reagojë ndaj protestës përmes postimeve në rrjetet sociale. Rama fton studentët për dialog ndërsa shton se farsa e kësaj barrikade absurde kundër Dialogut, s’ka për të zgjatur sa ka zgjatur.
“Kjo farsë e orkestruar për të marrë peng protestën, me shpresën e devijimit të saj në revoltë politike, s’mund ta mbajë edhe për shumë gjatë në këmbë barrikadën absurde.
Një grusht njerëzish që përsërisin qorrazi avazin kundër Dialogut, mbajnë peng mijëra studentë që duan dhe meritojnë jo vetëm adresimin e 8 pikave, po një transformim të thellë brenda Universitetit, përmes një Pakti me Qeverinë! “shkruan Rama.
Më tej Rama poston dhe një foto nga larg ku duket një numër i vogël studentësh përpara kryeministrisë