Studentët e fakultetit të shkencave të edukimit në universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe rektori i këtij universiteti Adem Bekteshi kanë zhvilluar një debat mes tyre në orët e mengjësit. Disa studentë nuk kanë lejuar zhvillimin e procesit mësimor duke bllokuar dyert e fakultetit.
Duke parë këtë situatë vetë rektori Bekteshi ka shkuar tek fakulteti i shkencave të edukimit duke i kërkuar studentëve që të mos bllokojnë zhvillimin e procesit mësimor për ata studentë që nuk duan të bojkotojnë apo protestojnë. Bllokimi i fakultetit për rektorin është shqetësues.
Nga ana tjetër studentët që bllokuan mësimin shprehen se janë një numër shumë i vogël i atyre që kanë kërkuar të zhvillohet mësimi ndërsa tregojnë se bojkoti do të vijojë pa ndërprerje deri në plotësimin e të gjitha kërkesave që kanë.
Të pranishëm tek fakulteti i shkencave të edukimit kanë qenë edhe forcat e policisë të drejtorisë vendore të Shkodrës për të mbajtur nën kontroll
situatën pasi ka patur informacione se mund të ketë ngjarje të padëshirueshme si shkak i ndonjë revolte të momentit por përveç debatit të studentëve me rektorin nuk ka patur probleme të tjera.