Shtëpitë private konsumojnë sasi energjie më të madhe për ngrohjen apo klimatizimin sesa banesat kolektive ku ka 5 apo më shumë apartamente.

Të paktën kjo është një nga pikat që përmendet në një studim të publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë së fundmi për konsumin e energjisë dhe sjelljen konsumatore.

Ky studim nënvizon apartamentet janë përgjithësisht më të vogla se shtëpitë e një familjeje, dhe ato shpesh janë pjesërisht të izoluara nga moti nga apartamentet ngjitur.

“Një familje mesatare që jeton në një shtëpi të veçuar për një familje konsumon gati tre herë më shumë energji sesa një familje që jeton në një ndërtesë apartamentesh që ka pesë ose më shumë apartamente. Të dhënat mbi shkallën e përdorimit të pajisjeve elektro-shtëpiake në shkallë vendi janë nxjerrë nga një studim i Decon duke bëre dhe disa korrektime nga burime të tjera si ajo e kërkesave të aplikantëve për përdorimin e energjisë elektrike në përputhje me rregulloren e lidhjeve të reja të miratuar nga ERE” thuhet në studim.

I njëjti nënvizon se konsumi në vend kryesisht është më i lartë në pjesën Perëndimore dhe më pak në atë Lindore ku një ndikim ka edhe lëvizja demografike.

“Në Shqipëri si pasojë e lëvizjeve demografike, zona perëndimore ( duke filluar nga Velipoja e deri në Ksamil referuar regjimit të punës të rrjetit shpërndarës të OSSH sha, ) ka rreth 70% të kërkesës për konsum dhe zona lindore ka rreth 30% të kërkesës për konsum te energjisë elektrike” nënvizon ERE.

Nëse analizohet konsumi total i energjisë për një familje studimi del në përfundimin se të paktën 37 për qind e këtij konsumi lidhet me dy përdorime përfundimtare që janë ngrohja e hapësirës dhe klimatizimi.

“Këto përdorime kryesisht sezonale dhe me energji intensive ndryshojnë ndjeshëm sipas vendndodhjes gjeografike, madhësisë dhe strukturës së shtëpisë, si dhe pajisjeve dhe lëndëve të përdorura. Ngrohja e ujit, ndriçimi dhe ftohja janë përdorime pothuajse universale të energjisë gjatë gjithë vitit në shtëpi. Këto tre përdorime përfundimtare të kombinuara përbënin 27% të përdorimit të përgjithshëm vjetor të energjisë në shtëpi.

Pjesa e mbetur – 36% – e përdorimit të energjisë në shtëpi janë për pajisje të tilla si televizorët, pajisjet e gatimit, larëset e rrobave dhe tharëset e rrobave, si dhe një listë në rritje e pajisjeve elektronike të konsumit duke përfshirë kompjuterët, tabletët, telefonat inteligjentë, konsolat e lojërave video dhe internetin, pajisjet e transmetimit” thuhet në studimin e ERE.

Fasha 800 KWh e vendosur vitin e shkuar nga qeveria si një mekanizëm për nxitjen e kursimit analizohet gjithashtu nga Enti duke e konsideruar këtë sasi si të përshtatshme dhe që plotëson nevojat e konsumit të 95 për qind të familjeve shqiptare. /Monitor/

Artikulli paraprakEDMOND NDOU, KOORDINATOR I FUSHATËS ELEKTORALE TË PS PËR BASHKINË SHKODËR
Artikulli tjetërDITA E FUNDIT E GJYKATËS SË APELIT TË SHKODRËS