Gjysmë-shekulli pasi testoi fuqinë e saj në betejat gjeopolitike të Luftës së Ftohtë në Evropën Juglindore, ku Shqipëria totalitare luajti një rol kritik, në këtë epokë të re të çarjeve të sërishme politike, Kina është kthyer në rajon si një aktor i rëndësishëm. Për Kinën, Ballkani Perëndimor, ku tani më shumë se gjysmë shekulli më vonë shumica e shteteve janë anëtare të NATO-s por jo edhe të Bashkimit Evropian, sipas studiuesve, me të cilët bisedoi kolegia Garentina Kraja, po luan rolin e një ure ekonomike ndërmjet Kinës dhe Evropës Perëndimore, duke mbushur boshllëkun e premtimeve të parealizuara për integrim evropian. Megjithatë, studiuesit shohin një ngecje të hovit të saj dhe bëjnë dallim mes ndikimit të saj dhe ndërhyrjes së Rusisë në rajon. Në një të kaluar jo shumë të largët, Shqipëria u shndërrua në trofeun e çarjes së madhe kino-sovjetike brenda kampit komunist, që në vitet ‘60-të përbënte njërën prej përplasjeve më të mëdha ideologjike në botë. Fillimisht shtet satelit i Bashkimit Sovjetik, Shqipëria u shkëput nga ky bllok në mesin e viteve të 60, duke përqafuar për një dekadë Kinën si partneren e saj strategjike në betejën kundër të ashtuquajturit “imperializëm perëndimor”. Por pas ftohjes së marrëdhënieve në fund të viteve 70-ta, Kina, e cila u përpoq të modelojë Shqipërinë në imazhin e saj, nuk pati ndonjë prani domethënëse në rajon deri në dhjetë vjetët e fundit. Sot, në këtë periudhë çarjesh të reja, që po ndajnë demokracitë nga sistemet autokratike, Kina si ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka krijuar një shteg të saj në rajon. Elidor Mëhilli, profesori i historisë dhe politikave publike në Kolegjin Hunter në Nju Jork, studiues i historisë së marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë dhe autor i librit “Nga Stalini te Mao: Shqipëria dhe bota socialiste”, thotë se Kina e ndryshoi strategjinë në dekadën e fundit përmes nismës “Një Brez, një Rrugë” që synon zgjerimin e pranisë së saj ndërkombëtare.

“Interesi kinez për Ballkanin është si një lloj ure lidhëse mes tregtisë, sidomos nëpërmjet Greqisë ku kinezët kanë bërë investime strategjike dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Duke qenë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende pjesë e BE-së, është një mënyrë për t’u futur në tregun e madh ndër-evropian. Por ajo çka vendet e Ballkanit Perëndimor japin, një karakteristikë që nuk e gjen dot tek vendet e Bashkimit Evropian është se ato nuk janë të detyruara të aplikojnë standardet e BE-së. Pra është njëfarë ure ndërlidhëse strategjike, por pa qenë e nevojshme të respektojnë të gjitha standardet e BE-së”, thotë ai.

Por prania e Kinës në këtë dekadë nuk ishte e njëllojtë në të gjitha shtetet dhe kufiri mes investimeve dhe huadhënies për shkak të mungesës së transparencës nga Pekini dhe shtetet përfituese, u bë përherë e më i turbullt.

Përfituesja kryesore ekonomike e pranisë kineze në Ballkanin Perëndimor është Serbia, tregu i së cilës kap rreth 80 për qind të investimeve të drejtpërdrejta dhe huave kineze në rajon, që llogaritet të kenë arritur në disa miliarda dollarë.

Sipas ligjeruesit të politikës globale dhe drejtuesit i departamentit për studime politike evropiane dhe ndërkombëtare në “Univeristy College London”, Igor Rogelja, futja e Kinës në rajon erdhi si rezultat i një përfitimi të dyanshëm, por që tani ky ndikim ka shënuar ngecje.

“Në esencë, ishte çështje e kërkesës dhe furnizimit. Shumë vëmendje, në veçanti nga Bashkimi Evropian, iu kushtua synimeve të Kinës, ndoshta qëllimeve të pathëna apo ambicieve të saj për t’u bërë lojtar i pushtetshëm në rajon. Por, një këndvështrim i tillë nënvleftëson veprimet e shteteve dhe qeverive të Evropës Juglindore. Në thelb, Kina siguroi atë që në shumë forma Bashkimi Evropian neglizhoi dhe në veçanti për çështjet që kanë të bëjnë me qasjen në huamarrje e deri tek kapitali për zhvillime infrastrukturore… Është e rëndësishme të theksojmë se shumë nga gjërat që Kina i financoi nuk ishin gjëra të ëndërruara në Pekin, por projekte që shtetet e Evropës juglindore i dëshironin,” thotë ai.

Artikulli paraprakUEFA NATIONS LEAGUE/ DALIN NË SHITJE BILETAT PËR NDESHJEN GJEORGJI – SHQIPËRI
Artikulli tjetërTË PAKTËN 21 TË VDEKUR NGA STUHIA SHKATËRRIMTARE NË BOSNIEN QENDRORE