Shkarkimi i Sali Berishës përgjithmonë nga Partia Demokratike ka bërë jehonë në mediat e huaja. Sot disa nga mediat kryesore në Greqi, shkruajnë për shkarkimin e Berishës duke e cilësuar si një “stuhi” politike në Partinë Demokratike shqiptare.
Partia Demokratike e Shqipërisë njoftoi të martën se kishte shkarkuar bashkëthemeluesin e saj , ish-presidentin dhe ish-kryeministrin, Sali Berisha, pas një konflikti të ashpër brenda partisë. Kjo u pasua nga një mbledhje maratonë e bordit ekzekutiv të Partisë Demokratike, e cila përfundoi mëngjesin e së martës. Tetë drejtues të tjerë, të cilët, si zoti Berisha, vunë në dyshim legjitimitetin e kryetarit aktual të partisë, Lulzim Basha, janë përjashtuar gjithashtu nga partia.
Përplasja e hapur mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës u përshkallëzua të shtunën, kur mijëra mbështetës të këtij të fundit sulmuan zyrat e Partisë Demokratike. Megjithatë, ata nuk mundën të hynin në zyrat e mbyllura të Bashës. Nga kjo protestë shpërthyen incidente të shumta dhe policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit e dhunshëm.
Sali Berisha ka më shumë se njëzet vjet në skenën politike shqiptare. Ai ishte kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013. Kritikët e tij e akuzojnë për korrupsion dhe nepotizëm, si dhe për mashtrim të hapur elektoral. Gjatë presidencës së tij (1992-1997), ai u akuzua se ndihmoi në krijimin e një atmosfere lufte civile në vend.
Lulzim Basha mori kryesimin e Partisë Demokratike në vitin 2013, pasi Sali Berisha dha dorëheqjen pasi pësoi një humbje të rëndë elektorale atë vit.
Në shtator, Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar i partisë me një vendim të Bashës. Në fillim të vitit të kaluar, qeveria amerikane njoftoi se i kishte ndaluar politikanit veteran hyrjen në territorin amerikan , për shkak të akuzave për korrupsion ndaj tij. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse Basha vendosi të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar. Ndërkohë kjo solli një përplasje të ashpër në Partinë Demokratike.