I ashpër ka qenë në reagimin e tij kryeministri Edi Rama, teksa e ka etiketuar Partinë Demokratike si partia e Sudes, ndërkohë që propozimet e saj për paketën ekonomike i ka cilësuar si ‘recetë magjike’.
Në një dalje live nga FB, teksa pohoi se do të subvencionohen të gjithë ata qiradhënës që jetojnë me të ardhurat e pronave që japin me qira, Rama tha se gjerat nuk mund të bëhen me shpejtësi si në kohën e firmave piramidale.
“Ne nuk i themi disave që kanë dhënë një pronë me qira dhe jetojnë me atë qira, se nuk i ndihmojmë dot.
Akti do të detajohet, drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nxjerrë udhëzime. Individët që jetojnë me qira një mjedis që e kanë në pronësi dhe s’kanë të ardhura të tjera, absolutisht do të jemi ne që do i mbështesim për këtë periudhë. Këta biznese s’do e paguajnë këtë qira në këtë limit të vendosur. Por kur të përballen me qiradhënisit s’do i lëmë vetëm. Do i subvencionojmë. Ndoshta jo të gjithë masën e qirasë, por një pjesë të saj. Nuk bëhen gjërat opshe. Kjo bëhen në kohën e piramidës. Partia e Sudes e ka shumë kollaj, sjell një faturë që do kishte tronditur edhe Francën në raport me prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Po të zbatohej kjo faturë, duhet t’ju merrej dhe pensioni i pensionistëve për një muaj, për të gjitha ato që përshkruhen në recetën magjike të Sudes. Shqiptari e ndan bukën, e për bukë nuk ka vdekur”, pohoi kryeministri.