Gjykata e Krimeve të rënda shpalli të pafajshëm Suel Çelën i akuzuar si njëri nga protagonistët e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.
I akuzuar si fillim për vrasje të oficerëve të policisë të ngelur në tentativë, Suel Çela u konsiderua i pafajshëm edhe për veprën e kundërshtimit të forcave të policisë.
Gjykata tha gjatë vendimit se prokuroria e krimeve të rënda nuk arriti të vërtetojë me prova përfshirjen e Suel Celës në ngjarjen e tregut agroushqimor.
Prova e gjetur në automjetin audi që shfaqet edhe në kamerat e sigurisë nuk tregon nëse në momentin e ngjarjes ka qenë apo jo i pranishëm Suel Çela argumentoi më tej gjykata.
Gjykata shtoi se provat tregojnë që Enea Bekteshi ka qenë në makinën audi që qëlloi në drejtim të policisë e cila gjendej në postbllok në tregun agroushqimor.
Por Bekteshi ka reaguar i vetëm tha gjykata dhe kjo gjë rrëzon akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
Për këtë ngjarje Bekteshi u shpall fajtor dhe u dënua me gjashtë vite burgim, ndërkohë që Klement Xhaferri u dënua me pesë vite burgim për armëmbajtje dhe largim nga vendi i qëndrimit si i paraburgosur.