Sulm pranë parlamentit 12 të plagosur,vritet një agresor
Disa të shtëna dhe një person që mbante një thikë në dorë u qëllua nga policia britanike para godinës së parlamentit. Ngjarja u shënua rreth orës 2.35 minuta kur u dëgjuan përplasje dhe të shtëna ndërsa deputetët u detyruan të qëndrojnë brenda sallës. Ndërkaq një makinë është përplasur dhe ka rrëzuar gardhin rrethues të hekurit të Parlamentit. Mësohet se nga ky episod ka disa të plagosur. Dëshmitarë pohuan se në fillim ka pasur zhurma dhe britma, ndërsa ishte parë një person me thikë që qëndronte para godinës së Parlamentit. Gazetarë në vendngjarje raportojnë se disa persona u panë të mjekoheshin duke publikuar në rrjete sociale dhe foto nga vendngjarja, kurse të tjerë thanë se, policia e kishte eliminuar ndërkohë personin që mbante thikë në dorë. Ndërkaq nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm janë bllokuar stacionet kryesore të qarkullimit në kryeqytetin britanik. Spikeri i Parlamentit menjëherë njoftoi deputetët se seanca ndërpritej, por ata nuk duhet të lëviznin në asnjë mënyrë nga godina dhe se duhet të qëndronin aty.