Përparimi i trupave të qeverisë siriane të mbështetura nga forcat ajrore ruse në provincën e Idlib – e vetmja e mbetur në duart e kryengritësve anti-Asad – vazhdon dhe mbart ende vdekje. Vetëm sot nga bombardimet kanë humbur jetën 18 persona, mes të cilëve 5 fëmijë.
Lajmi u raportua nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut që i jep përgjegjësi për bombardimet “aeroplanëve rusë”.
Idlib, fortesa e fundit e opozitës anti-Asad, është skena e një sulmi masiv tokësor nga forcat e qeverisë siriane si pasojë e të cilës mijëra njerëz po ikin në Turqi.
Sipas burimeve, të shpërngulurit mund të jenë nga 30 mijë deri në 80 mijë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar Europën kundër kësaj valë të re refugjatësh.
“Turqia nuk mund të mirëpresë një valë të re të refugjatëve nga Siria”, tha ai ditët e fundit. “Efektet negative të këtij presioni që ne po kalojmë do të ndihen nga të gjitha vendet europiane, duke filluar me Greqinë,” tha Erdogan.
Synimi tjetër i trupave të qeverisë siriane është qyteti i Maarrat, për vite me rradhë një fortesë e opozitës Siriane, por gjithashtu një simbol i rezistencës jo të dhunshme të popullsisë kundër milicive radikale, përfshirë Kaidistët.
Forcat e Damaskut tani janë vetëm tre kilometra larg qytetit.