Hetimi për sulmet kibernetike ka sjellë firmosjen e pesë urdhër arresteve nga Prokuroria e Tiranës. Mësohet se urdhër-arrestet janë për punonjës të administratës dhe akuzohen për shpërdorim detyre. Punonjësit janë nga Departamenti i Administratës Publike në Ministrinë e Brendshme.

‘Sulmi kibernetik në sistemet kompjuterike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, Prokuroria kërkon ‘Arrest shtëpie’ për pesë punonjës IT

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Adminiatratës Publike (DAP).

Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Personat e identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë bërë të mundur identifikimin më parë janë:

A.I. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

A.S. – Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

R.Ll. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

I.L. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

A.Gj. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.

Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Prokuroria do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale.’- njofton prokuroria.

Artikulli paraprakSTUDENTËT PROTESTË PARA MINISTRISË SË ARSIMIT, KRYEJNË ‘HOMAZHE’ PËR DEGËT E MBYLLURA NË UNIVERSITETE: 71.6% E PROGRAMEVE PRIORITARE NË RREZIK
Artikulli tjetërRIKTHEHET DËBORA NË VERI! ZBARDHET THETHI, KELMENDI E DUKAGJINI