Grupi militant kurd TAK mori përsipër sulmin terrorist të së dielës në kryeqytetin turk Ankara.
Përmes një komunikate në internet, ky grup tha se sulmi që i kushtoi jetën 37 njerëzve u bë si hakmarrje ndaj operacioneve ushtarake turke në zonat kryesisht kurde në juglindje të vendit. Grupi TAK, një degë e partisë së jashtëligjshme të punëtorëve të Kurdistanit, më herët kishte marrë përsipër sulmin me bombë të muajit të shkuar po në Ankara. Edhe për sulmin më të fundit, autoritetet turke kanë fajësuar PKK-në. Sulmi kamikaz u krye në një zonë tregtare në qendër të Ankarasë të dielën në mbrëmje. Dhjetëra njerëz që u plagosën në sulm janë ende në spital. Grupi TAK, sigël që do të thotë “Skifterët e Lirisë së Kurdistanit”, tha se sulmi i të dielës kishte në objektiv forcat e sigurisë dhe jo civilët. Megjithatë, militantët e tij paralajmëruan se viktimat civile në sulmet e tjera që do të pasojnë, janë të pashmangshme. “Mbrëmjen e 13 marsit, një sulm kamikaz u krye në rrugët e kryeqytetit të Republikës Fashiste Turke. Sulmin e kryem ne”, shkruhej në komunikatën e TAK-së. Më herët, autoritetet turke thanë se në lidhje me sulmin ishin arrerstuar 11 persona, por pa speficikuar përkatësinë e tyre politike apo etnike.