NJË PERSON KA MARRË PENG 35 PERSONA NË SIDNEI. Një sulm i mundshëm terrorist ka tronditur sot Australinë. Nën kërkcënimin e armëve, një person ende i paidentifikuar ka marrë peng rreth 35 persona në një kafene në Sidnei të Australisë.

Sipas mediave ndërkombëtare mendohet se në lokal janë mbajtur peng fillimisht rreth 40 persona pjesëtarë të stafit dhe klientë të kafenesë, ku 5 prej të cilëve janë liruar pas disa orësh negociata me policinë.  Ajo çka është edhe më shqetësuese për autoritetet austrialiane është se dyshimet për një sulm të mundshëm terrorist shtohen nga fakti se autori në një nga dritaret e lokalit ka shfaqur një flamur të zi islamik me disa mbishkrime në të. Në flamur shkruhet “Nuk ka zot tjetër perveç Allahut” dhe “Muhamedi është i dërguari i Zotit”, e sipas të dhënave i përket grupit ekstremist Jabhat al-Nusra, që lufton kundër qeverisë së Assad në Siri.Jo vetëm kaq por siç raportojnë mediat ndërkombëtare, nga marrja në pyetje e pengjeve të liruar, mësohet se autori ka vendosur edhe 4 bomba, ku 2 prej tyre në ambientet e brendshme të lokalit dhe 2 në pjesën e jashtme të tij.Përmes pengjeve të liruar autori, i ka kërkuar policisë, të shpaloset një flamur i radikalëve islamikë të ISIS si dhe një telefonatë me kryeministrin Abbott. Kërkesat e tij pengmarrësi i ka bërë përmes pengjeve të liruar.Ndërkohë tensioni vazhdon të mbetet i lartë, ndërsa policia australiane e ndodhur në vendngjarje, vijon operacionin me qëllim shpëtimin e pengjeve dhe lënien e tyre të lirë.

 

 

 

 

Artikulli paraprakSHEMBET SHTESA NË NJË SHTËPI TË VJETËR
Artikulli tjetër“QAZIM DERVISHI” NË JANAR ME PARKET TË RI