Të paktën 50 persona kanë mbetur të vdekur pas një shpërthimi pranë një vendi të shenjtë në jug të Damaskut gjatë ditës së diel.
Sulmi është marrë përsipër menjëherë nga militantët e Shtetit Islamik. Zona, e cila frekuentohet nga popullsia shiite, ka qenë në shënjestër edhe më parë, sulmi i fundit ka ndodhur në shkurtin e vitit të kaluar. Sulmi i fundit ka ardhur në një moment kur përfaqësues të qeverisë siriane dhe grupet e opozitës ndodhen në Gjeneve në përpjekje për të nisur bisedimet që kanë për qëllim zgjidhjen politike të konfliktit. Bisedimet ende nuk kanë nisur, ndërsa grupi kryesor i opozitës kërkon nga qeveria siriane të përmbush kërkesat kyçe humanitare. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i bëri thirrje të dyja palëve që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Ai tha se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje ushtarake të konfliktit, për të cilin ai tha se mund të përfshijë të gjithë rajonin nëse sërish nuk do të ketë një zgjidhje.