Tre shqiptarë janë mes viktimave të sulmit të armatosur të ndërmarrë ditën e premte në një qendër tregtare në Mynih të Gjermanisë.

Mediat në Kosovë raportojnë se dy janë Sabina Sula dhe Armela Segashi, ndërsa i treti është 21-vjeçari Dijamant Zabërgja. Të tre të rinjtë shqiptarë nuk arritën t’u mbijetojnë plagëve të marra nga çmenduria e ndërmarrë, sipas autoriteteve gjermane, nga një i ri iranian. Sipas policisë gjermane, autori është një 18-vjeçar iranian, i cili jetonte në Mynih, ndërsa motivet e ngjarjes ende janë të paqarta. Trupi i pajetë i autorit është gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Mediat raportojnë se ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë. Një operacion i gjërë i policisë nisi menjëherë pas njoftimeve se sulmi në qendrën tregtare “Olympia-Einkaufszentrum” ishte kryer nga tre persona, por më vonë policia gjermane tha se autori kishte vepruar i vetëm. Të shtënat nisën në restorantin “McDonald” që ndodhet në qendrën tregtare. Një tjetër zëdhënës i policisë së Mynihut e ka përshkruar incidentin si “një sulm të mundshëm terrorist”, teksa fliste për një radio gjermane. Pas sulmit, sistemi i transportit në kryeqytetin bavarez u pezullua, ndërsa stacioni qendror hekurudhor u evakuuar. Disa orë më vonë transporti publik u rihap sërish. Me mijëra persona mbetën të bllokuar pas gjendjes së emergjencës duke mos pasur mundësi të rikthehen në shtëpitë e tyre u është ofruar strehim nga banorët vendës. Presidenti amerikan Barack Obama ka folur shkurtimisht për ngjarjen në Gjermani, e më pas ofroi ngushëllimet e tij për viktimat e mundshëm si dhe u angazhua për mbështetje ndaj Gjermanisë, në atë që ai e përshkroi si një prej aleatëve më të afërt të Amerikës.

Artikulli paraprakGJURAJ PRANON PROBLEMIN E NDOTJES NË ISH-KOMUNA: S’KISHIN PLANE
Artikulli tjetërSHKODËR, SEKTORI I POLICISË RRUGORE MASA NË TË GJITHA ZONAT TURISTIKE