Personi i armatosur që vrau 9 persona në Mynih të Gjermanisë ishte i fiksuar pas masakrave me armë zjarri dhe nuk njihej për lidhje me Shtetin Islamik.
Është kjo deklarata që ka bërë policia gjermane një ditë pas ngjarjes tragjike në qendrën tregtare të qytetit. Agjentët që bastisën shtëpinë e autorit, një shtetas gjerman me origjinë iraniane, gjetën gazeta me artikuj mbi sulmet e armatosura, përfshirë një të titulluar “Përse studentët vrasin?”. Nga hetimet ka rezultuar se më parë ai kishte qenë nën kujdes psikiatrik dhe i ishte nënshtruar trajtimit për shkak të depresionit. Ndërkohë, hetuesit flasin edhe për një lidhje të sulmit të tij me atë të 5 viteve më parë të Anders Behring Breivik në Norvegji, ku humbën jetën 77 persona. “Lidhja është e qartë”, kanë thënë burime policore për BBC. Në sulmin e së premtes pasdite në qendrën tregtare Olympia, 9 persona mbetën të vrarë dhe 27 të tjerë të plagosur, përfshirë disa fëmijë. Tre nga viktimat ishin nga Kosova. Sulmi erdhi vetëm 4 ditë pasi një adoleshent afgan sulmoi dhe plagosi me thikë 5 persona në një tren në landin e Bavarisë, para se të qëllohej për vdekje nga policia.
HillaryClinton ka përzgjedhur zëvendësin e saj. Ai është Tim Kaine, një senator i qendrës nga Virxhinia. Clinton njoftoi përzgjedhjen e saj përmes një postimi në Tëitter dhe pritet që prezantimin formal para mediave ta bëjë pasditen e së shtunës.Clinton refuzoi disa emra me prirje më të majta. Një i tillë ishte edhe rivali i saj në garën brenda demokratëve, Bernie Sanders. Në vend të kësaj, kandidatja për Shtëpinë e Bardhë përzgjodhi një figurë më të balancuar mes të majtës dhe të djathtës dhe një mbrojtës e mbështetës i fortë i tregtisë së lirë. Veç kësaj, Tim Kaine është një emër i njohur për komunitetin hispanik dhe flet rrjedhëm gjuhën spanjolle. Përvoja dhe maturia që ka në politikë kanë bërë që mediat dhe analistët ta konsiderojnë një zgjedhjen e Clinton “të zgjuar dhe të sigurtë”. Kaine personalisht kundërshton abortin, por mbështet të drejtën për të abortuar.