Mediat e huaja kanë publikuar këtë të diel fotot e atentatorit të dyshuar të masakrës në Stamboll mbrëmjen e ndërrimit të viteve, që i mori jetën 39 personave. Ngjarja ndodhi në klubin e natës Reina, ndërsa qindra njerëz ishin mbledhur për të festuar ndërrimin e viteve. Zyrtarët turqi thonë se se mes viktimave janë të paktën 15 shtetas të huaj, mes tyre qytetarë nga Izraeli, Belgjika, Libani, Jordania, Franca dhe Arabia Saudite.

“Atentatori la armën e tij në vendngjarje përpara se të përfitonte nga kaosi i krijuar dhe të largohej nga skena”-tha kryeministri turk Binali Yildiri. Ai konfirmoi se atentatori nuk ishte i veshur si babagjyshi, duke hedhur kështu poshtë raportimet e mëparshme. Sulmi ndodhi rreth 45 minuta përpara mesantës ndërsa rreth 700 vetë ishin mbledhur në klubin Reina, një prej lokaleve të natës më të famshme të Stambollit. Atentatori fillimisht qëlloi një polic dhe një punonjës të sigurisë në hyrje të diskotekës përpara se të futej brenda ambjenteve të lokalit, tepër i frekuentuar nga personazhet e famshme televizive dhe turistët e huaj. Dëshmitarët thanë se njerëzit u hodhën në ujërat e Bosforit për ti shpëtuar të shtënave pa fre. Motivet e sulmit janë ende të paqarta por dyshimet kanë rënë mbi Shtetin Islamik. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan fajësoi grupet terroriste që sipas tij, po përpiqen të krijojnë kaos. “Ata po tentojnë të demoralizojnë popullin dhe të destabilizojnë vendin”-tha kreu i shtetit. Në 2 vitet e fundit, dhjetra sulme kanë tronditur Turqinë, ku militantët kurdë kanë shënjestruar kryesisht forcat ushtarake dhe ato të policisë, ndërsa ISIS zakonisht ka si objektiv civilët. Liderët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar Turqinë ndërsa kanë bërë thirrje disa herë për sulme brenda vendit. Turqia nisi operacionet në Siri 4 muaj më parë, duke goditur jo vetëm militantët islamikë por edhe grupet kurde.

Artikulli paraprakSHQIPERI – ITALI, SEKUESTROHEN 400 KG KANABIS
Artikulli tjetërApple fiton sfidën e Festave të fundvitit: iPhone është smartphone më i shitur