Shkon në 41 persona numri i të vdekurve nga sulmi terrorist në aeroportin Ataturk të Stambollit, mbrëmjen e së martës, 28 qershor 2016.

Nga shpërthimet kamikaze kanë mbetur të plagosur mbi 239 persona të tjerë. Zyrtarët thanë se në mesin e të vrarëve janë 13 shtetas të huaj, 3 prej tyre me kombësi të dyfishtë. “Tre sulmues vetëvrasës me kombësi të huaj kanë kryer sulmin”, tha guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin. Një nga sulmuesit hodhi vetën në erë në dalje të aeroportit, një zonë e ngarkuar me njerëz që presin transportin. Dy sulmues të tjerë besohet të kenë provuar të hyjnë në terminalin e mbrojtur nga policë të armatosur dhe detektorë me rreze X. Të gjitha fluturimet janë pezulluar. Autoritetet më pas lejuan uljen e avionëve që po fluturonin mbi qytet, ndërsa të gjitha fluturimet tjera u drejtuan në të tjera aeroporte. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, e dënoi me fjalët më të fuqishme sulmin e së martës mbrëma, që sipas tij “kishte për qëllim minimin e Turqisë me vrasjen e njerëzve të pafajshëm”. “Është e qartë se ky sulm nuk synonte asgjë tjetër vetëm krijimin e një materiali propagandistik kundër vendit tonë duke shfrytëzuar gjakun dhe dhimbjen e njerëzve të pafajshëm” tha presidenti turk nëpërmjet një komunikate. Ai tha se pret që bota të dëshmojë “qëndrim të vendosur” kundër grupeve terroriste.

Artikulli paraprakTRANSPORTI, MERAJA: LIÇENSAT, TË VLEFSHME DERI NË FUND TË VITIT
Artikulli tjetërFESTA E SHËN PALIT, KRYETARI I BASHKISË VAU DEJËS URON BESIMTARËT