Sulmi terrorist me kamion në Nice, një tjetër shqiptar në akuzë

Tre persona të tjerë, mes të cilëve edhe një shqiptar 24 vjeçar, janë akuzuar për sulmin terrorist në Nice të Francës, ku humbën jetën 86 persona. Ngjarje kjo e regjistruar në 14 korrik të këtij viti ku një kamion 9 tonësh pikërisht Ditën e Bastijes u fut në mes të turmës duke shtypur njerëz të pafajshëm dhe duke qëlluar me armë. Tre të arrestuarit akuzohen se kanë lidhje me atentatorin Bouhlel. Ata janë në mesin e 11 individëve të prangosur të hënën në Nice dhe në qytetin perëndimor të Nantes, dhe të vetmit që do të qëndrojnë në paraburgim, sepse të tjerët janë lënë të lirë. Deri më tani 6 persona janë akuzuar se kanë lidhje me Bouhlel por asnjëri prej tyre nuk është dënuar. Mes tyre kujtojmë se është edhe çifti shqiptar Artan Henaj dhe Enkelejda Zaçe të cilët akuzohen se i kanë siguruar Bohlel armën tip kallashnikov me të cilën qëlloi mes turmës. Njëri prej të akuzuarve 24 vjeçari mendohet se është kushëriri i Henaj. Por edhe 31 vjeçari me origjinë nga Tunizia mendohet se ka lidhje me çiftin shqiptar. Për atentatin terrorist në Nice, Shteti Islamik mori përgjegjësinë e sulmit duke thënë se atentatori ishte një luftëtar i saj. Prokurorët shprehen se sulmi është praktikisht një kombinim i radikalizimit islamik, joshjes ndaj dhunës ekstreme dhe një sfondi problemesh psikologjike.

Artikulli paraprakSEKUESTROHET KOKAINË DHE HASHASH, 3 MUAJ HETIME PËR TË ARRESTUAR TRAFIKANTËT
Artikulli tjetërNJE 64-VJEÇAR HIDHET NGA KATI I 4-T I BANESËS