Policia britanike arrestoi edhe një tjetër person të dyshuar si të përfshirë në sulmin terrorist të së premtes mbrëma pranë Buckingham Palace.
Tre police mbeten të plagosur pasi një 26-vjeçar zbriti nga makina dhe sulmoi me një shpatë më të gjatë se 1 metër, efektivët e paarmatosur jashtë rezidencës së mbretëreshës.
26-vjeçari u arrestua të premten në vendin e ngjarjes teksa bërtiste “Allahu Akbar”. Në fundjavë policia bastisi një apartament në perëndim të Londrës dhe ra në gjurmët e një 30-vjeçari, i cili u vu në pranga mëngjesin e së dielës.
Hetuesit janë fokusuar në lidhjet e dy të arrestuarve me celula terroriste. Të premten, asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk ishte në Pallatin Buckingham gjatë sulmit.
Edhe pse të paarmatosur, efektivët e policisë arritën të shmangin tragjedinë duke sulmuar me gas lotsjellës terroristin e armatosur me shpatë.