“Turkish Airlines” që u nis nga “Rinasi” si çdo mbrëmje drejt Aeroportit “Ataturk” të Stambollit u ul në vetëm pak çaste pas shpërthimit atje në orën 23:12 sipas orës lokale të së martës.
Në këtë avion ishte edhe një delegacion i qeverisë shqiptare, pjesë e të cilit kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, të cilët do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Ankara të mërkurën. Delegacioni shqiptar u nxor nga sigurimi turk menjëherë nga aeroporti, ndërsa pak çaste më vonë Rama reagoi me një mesazh në rrjetet sociale ku tha se i vinte keq për shqetësimin e krijuar. Top Channel siguroi edhe një foto ekskluzive nga makina e kryeministrit i cili sapo linte aeroportin dhe ku duken automjetet e policisë dhe ambulancat. Përmes një “tweet” më pas ai shpreh keqardhjen për jetët e humbura në një tjetër akt barbar të atyre që kryeministri thotë se nuk kanë as Zot, as shpresë dhe as vend në mes njerëzve. Avioni i nisur nga Shqipëria ishte edhe i fundit që u ul në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit mbrëmjen e së martës pak çaste pas sulmit kamikaz. Të gjithë avionët e tjerë që kishin orarin nuk u lejuan. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë konfirmoi se deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë të lënduar në këtë ngjarje. “Ataturk” është një nga aeroportet që frekuentohet shumë nga shqiptarët në udhëtimet drejt Turqisë, por edhe për linjat tranzit.