Federata Shqiptare e Futbollit thotë se u është sulmuar faqja e webi-t nga hacker dhe tani është i mbyllur. Sipas FSHF-së, sulmi ka ndodhur pasi publikuan përgjimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku sipas tyre Veliaj iu bën presion anëtarëve të shoqatës për të manipuluar zgjedhjet në FSHF.
“Në një ngjarje të paprecedentë uebi i qeverisë së futbollit është sulmuar në mënyrë agresive nga hakerat dhe mbyllur sot pas publikimit të fakteve tronditëse për ndërhyrjen flagrante të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë. Në çastet që po flasim faqja vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të këtij sulmi të qartë me prapavijë politike”, shkruan FSHF.
Përmes një postimi në ‘Facebook, FSHF dënon këtë sulm duke e quajtur atë politik.
“FSHF dënon këtë sulm skandaloz të politikës dhe i bën thirrje që të tërhiqen sa më parë pasi kjo taktikë mund të ketë pasoja të rënda për cilindo të përfshirë në këtë akt të turpshëm. Pavarësisht këtij sulmi, komuniteti i futbollit shqiptar do të vazhdojë të denoncojë të gjitha ndërhyrjet, sulmet dhe presionet e politikës dhe nuk do të tërhiqet përballë shantazheve dhe kërcënimeve të pushtetit”, shkruan FSHF.