Shpesh herë ndërgjegja qytetare humbet logjikën duke ndërmarrë përsipër gjeste që nuk bëjnë aspak krenar askënd. Mëngjesin e 17 shtatorit monumenti i 4 dëshmorëve të demokracisë të rënë me 2 prill të vitit 1991 në Shkodër është zgjuar i dëmtuar natyrisht nga persona të papërgjegjshëm. Edhe pse në qendër të qytetit, edhe pse një monument që shënjon të pjesë të madhe të historisë dhe ardhjes së demokracisë në Shkodër e gjithë Shqipërinë, gjesteve harbute nuk i ka shpëtuar as monumenti i 2 prillit.

Një pjesë e konsiderueshme e pllakave jo vetëm se janë hequr nga vendi por edhe janë hedhur aty. Për të mos mjaftuar këto persona aspak të përgjegjshëm janë kujdesur që pllakat të coptohen edhe në grimca të vogla. Një gjest natyrisht tejet i rëndë që patjetër kërkon ndëshkimin maksimal. Është e papranueshme që monumentet historike në qytetin e Shkodrës apo herë pas here edhe ato kulturore të bëhen pre e sulmeve të tilla që nuk tregojnë asgjë tjetër veçse mungesën e respektit ndaj atyre që u flijuan që ne sot të jetojmë në një botë të lirë e demokratike. Përveç një gjest jashtë çdo logjike është edhe një shuplakë që për asnjë arsye në botë dëshmorët e 2 prillit 1991 Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka nuk e meritojmë. Nuk mund të shkojmë deri aty sa të mendojmë se mund të jetë e qëllimshme sepse do të ishte shumë më e rëndë. Cilado qoftë arsyeja shkatërrimi i një pjese ku ndodhet monumenti i 2 prillit është një shenjë e thellë e mungesës së qytetarisë. Nga ana tjetër këto imazhe me pllakat e coptuara krijojnë një ndjenjë negative në sytë e turistëve të huaj që këto ditë nuk janë të pakët në Shkodër. Monumenti i 2 prillit por edhe monumente të tjera jo rrallë herë janë bërë pre e këtyre sulmeve brutale ndaj edhe institucionet ka ardhur momenti që të bëjnë më shumë për të ndëshkuar këta keqbërës që dhunojnë historinë dhe kulturën e Shkodrës.

Artikulli paraprakNdalohen dy shtetas në kërkim.
Artikulli tjetërDHUNA NË FAMILJE, NËNA E 2 FËMIJËVE KËRKON SHPËTIM