Disa persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar një zyrë të Partisë Republikane në Karolinën e Veriut përmes zjarrvënës, duke shkatërruar çdo objekt që ndodhej brenda, por fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz.
Ende nuk dihen arsyet e këtij sulmi, por individët përgjegjës kishin shkruar me bojë spray në murin e godinës ‘Republikanë nazistë, largohuni nga qyteti’. Për këtë arsye, pista kryesore e hetimit është ajo e një agresioni për shkak të motiveve politike. Autoritetet kanë nisur menjëherë një hetim zyrtar për të zbuluar më shumë detaje, ndaj për të patur një pasqyrim të qartë të ngjarjes do të duhet të pritet një tjetër komunikatë e hetuesve. Ndërkohë, ky episod ka shkaktuar edhe një përplasje në distancë mes Donald Trump dhe Hillary Clinton. Fillimisht ka qenë ish-sekretarja e Shtetit e cila përmes një postimi ne rrjetin social Twitter e dënoi ngjarjen duke u shprehur se sulmi ishte një akt horror dhe i papranueshëm. Ajo shtoi se ndihej mirë për faktin që nuk kishte të lënduar në njerëz. Megjithatë, më i ashpër ka qenë reagimi i Donald Trump. Miliarderi shkroi në Twitter se pas sulmit qëndrojnë kafshët që përfaqësojnë Hillary Clintonin, pasi sipas tij në këtë zonë, republikanët janë duke fituar. Gara për Shtëpinë e Bardhë vijon të anojë nga Hillary Clinton, e cila në bazë të shumicës së sondazheve, gëzon një avantazh ndaj rivalit të saj Donald Trump. Republikani është përballur me akuza të shumta për shkak të një sërë skandalesh, përfshirë videon e publikuar ku ai fliste më një retorikë denigruese ndaj grave.