E pabesueshme, por e vertetë. Barcelona është mundur 4-0 në “San Mames” nga Athletic Bilbao në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës. Katalansit, ndryshe nga ndeshja e Superkupës së Europës me Sevillan, këtë herë nuk kanë arritur të shmangin katastrofën, me Aduriz që ka qenë protagonisti i ndeshjes me tre gola. Por, ndryshe nga përballja me Sevilla, Barca do të ketë mundësinë të shlyej paraqitjen e sotme në ndeshjen e kthimit, edhe pse nuk do të jetë e lehtë.

Tetë gola të pësuar në dy ndeshje nga skuadra e Enriques janë një gjë unike më shumë se e rrallë. Por një shifër tjetër tregon akoma më qartë mbrëmjen që ka kaluar Barca sot: vetëm një gjuajtje në portë nga katalanasit në 45 minutat e para me Messin. Avantazhi i vendasve ka ardhur me një magji të San Jose në minutën e 14-të. Lojtari i baskëve ka përfituar nga një pasim i gabuar i portierit Ter Stegen, i cili kishte dalë nga porta, dhe ka goditur menjëherë nga mesi i fushës duke e dërguar topin në rrjetë. Në 45 minutat e dyta, kur pritej reagimi i kampionëve të Europës, kanë ardhur edhe tre goditje të tjera të Bilbaos me Aduriz. 34-vjeçari ka realizuar në minutën e 53-të me kokë, duke çuar shifrat në 2-0, më pas ka përfituar nga një rrëmujë në mbrojtjen katalanase duke realizuar golin e tretë për vendasit dhe në të 68-ën ka shënuar golin e tretë personal dhe të katërtin për Bilbaon nga pika e bardhë e penalltisë. Por, më shqetësuese se golat e pësuar, për Barcelonën, ka qenë mungesa e reagimit e lojtarëve të Luis Enrique. Edhe pse nuk bëhej fjalë për një finale, duke parë se do të ketë një ndeshje kthimi, një humbje 4-0 është e vështirë për t’u përmbysur edhe për një super skuadër si ajo “blaugrana”. E vetmja siguri është se në 90 minutat e ardhshme (nëse nuk do të ketë shtesë) na pret një tjetër përballje spektakolare.

Artikulli paraprakÇFARË PO NDODH ME AKADEMINË E VLLAZNISË?
Artikulli tjetërBUNDESLIGË, BAYERN FITON 5-0 NDAJ HAMBURG