Vllaznia nuk do të luajë në javën e parë të sezonit të ri futbollistik me 22 Gusht. Kjo do të ndodhë për shkak te ndeshjes që ka Skendërbeu në Play-Off ndaj Dinamos së Zagrebit. Ka qenë Skënderbeu që e ka konfirmuar zyrtarisht shtyrjen e ndeshjes së javës së parë të Superligës. Duke parë kalendarin e Skënderbeut dhe ecurinë e tij në Champions, Federata Shqiptare e Futbollit ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të të gjitha çifteve të tjera të javës së parë, por vetëm të çiftit Vllaznia-Skënderbeu.
Ka qenë klubi kampion që ka dërguar edhe shkresën zyrtare në FSHF, duke kërkuar shtyrjen e ndeshjes dhe federata e ka miratuar. Por shtyrja e ndeshjes së hapjes të kampionatit kundër Skënderbeut duket se është pritur mirë në kampin shkodran. Kjo ngaqë skuadra ende nuk ishte gati për nisjen e ndeshjeve zyrtare për shkak të disa prej lojtarëve të saj kryesorë ku ditët e fundit kanë patur probleme me dëmtimet. Por jo vetëm kjo. Një tjetër arsye që ka bërë të kënaqen shkodranët është ajo e pritjes së përforcimeve të tjera. Drejtuesit e klubit vazhdojnë të deklarojnë se janë në bisedime me katër futbollistë të tjerë dhe duket se tashmë kanë mbetur vetëm negociatat e fundit me ta për të arritur akordin përfundimtar. Ekipi ka nevojë kryesisht për përforcime në repartin e mbrojtjes, por sidomos në sulm.