Kombëtarja shqiptare e futbollit po luan sot në 18:00 në “Air Albania” kundër Bullgarisë, për testin miqësor pas fitores 3-0 kundër Çekisë (grupi E për Euro 2024). Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho ka bërë rotacion nga ndeshja e fundit, duke hedhur në fushë 6 emra të ndryshëm nga ndeshja e fundit.
UEFA ia ka besuar duelin e sotëm arbitrave nga Kosova. Mervan Bejtullahu do jetë kryesor, ndërsa ndihmësa do jenë Fatmir Sekiraqa dhe Edmond Zeqiri. Arbitër i katërt Erjon Bastari (Shqipëri). Kundër bullgarëve Shqipëria ka luajtur 11 takime, duke marrë dy fitore, katër barazime dhe pesë humbje. Ndeshja e fundit mes dy skuadrave daton në 17 tetorin e 2007, plot 16 vite më parë. Për kualifikueset e Europianit të 2008, ndeshja përfundonte në barazimin 1-1.
Fitorja e fundit e Shqipërisë kundër Bullgarisë daton në 4 qershorin e 1950, 73 vite më parë. Miqësorja në Tiranë përfundonte 2-1 për tanët. Duket se kuqezinjtë janë në formë për të rikthyer statistikat në favor të tyre, pasi mundën Çekinë dhe Poloninë po pas 70 vitesh.