Synonte masakër në Dyseldorf del në gjyq celula terroriste e ISIS
Një gjykatë federale në Gjermani ka arritur në konkluzionin se celula terroriste e ISIS e arrestuar një vit më parë ka pasur plane shumë më të detajuara për një sulm në Dyseldorf, nga sa u mendua në fillim. Sipas gjykatës, e cila vendosi zgjatjen e qëndrimit në burg për katër sirianët e arrestuar, ata kishin planifikuar të sulmonin në një ditë të premte apo të shtunë, kur qendra e vjetër e Dyseldorfit është veçanërisht e populluar. Planet e tyre parashikonin që dy prej anëtarëve të hidhnin veten në erë në dy rrugë paralele të qendrës. Dy të tjerët do të zinin pritë në daljet e rrugëve për të vrarë sa më tepër të mundeshin nga njerëzit që do të largoheshin me vrap pas shpërthimeve, për të hedhur më pas edhe ata veten në erë kur t’u mbaroheshin municionet. Celula u zbulua pas rrëfimit të njërit prej terroristëve, Saleh A., para autoriteteve në Paris, në shkurt 2016. Informacionet e tij mundësuan arrestimin e tre të tjerëve, më 2 qershor, në qendrat e refugjatëve në landet e Nord Rhein-Westphalia, Baden-Württemberg dhe Brandenburg. Mosha e tyre është nga 25 në 31 vjeç. Saleh A. u ngarkua me misionin në një takim në Raka të Sirisë, ku ishin të pranishëm disa liderë të ISIS. Në takim, një anëtar gjerman i ISIS, i cili kishte jetuar më parë në Dyseldorf, besohet t’i ketë dhënë Salehut një hartë të skicuar të qytetit. Detajet përfundimtare të sulmit do të diskutoheshin në Heidelberg më vonë, por ndërkohë Saleh A. ishte dorëzuar.