Sytë nga resortet, investimet që do të ndryshojnë bregdetin

Turizmi po rritet çdo vit dhe qeveria thotë se tashmë i ka idetë e qarta se çfarë duhet përmirësuar vitin e ardhshëm. “Që të gjitha hotelet dhe njësitë e shërbimeve që kryejnë shërbime në bregdet deri në maj të vendosin dekulatorin e ujërave të zeza. Do iua bëjmë shumë të qartë, sepse përndryshe nuk do të kenë mundësi të hapin dyert”, tha kryeministri Rama. Por biznesi privat e ka nuhatur para qeverisë potecialin e zhvillimit të turizmit. Në Shqipëri janë disa fshatra turistikë të një niveli të lartë, që po ndërtohen në bregdet. Dy prej tyre kanë marrë statusin e investitorit strategjik. “Green Coast” në Palasë dhe “Neë Born” në gjirin e Lalzit kapin një vlerë investimi prej gati 80 milionë eurosh. Një tjetër resort turistik, “Palasa Bay Resort” është projektuar në gjirin e Dhërmiut, ndërsa në Jalë do të ndërtohet një kompleks vilash dhe hotelerie. Për të vazhduar po në jug, në Ksamil, ku është projektuar një tjetër fshat i këtij tipi. Ndërkohë, në gjirin e Lalzit po zhvillohet një ndërtim me një sipërfaqe prej 350 mijë metrash katrorë dhe investimi shkon në gati 90 milionë euro. Në fazë procedurash për leje është investimi në Divjakë i Behxhet Pacollit, një investim gjigant me vila, hoteleri dhe port jahtesh. Luan Bregasi, kryetar i “Biznes Albania”, njëkohësisht investitor në hoteleri turistike, thotë se duhet një infrastrukturë e plotë. “Gjithçka lidhet me ndërtimin e aeroporteve, ndërtimin e rrugëve, shtrirjen e energjisë elektrike, ujit, dezinfektimin e zonave turistike, që të mos vijë një turist i huaj dhe vendi të jetë i mbushur me mushkonja”, tha Bregasi. Por sfidë më vete është menaxhimi profesional i resorteve turistike. “Përpjekjet e përbashkëta me komunitetin e sipërmarrjes private për të krijuar një klasë menaxherësh, qoftë nëpërmjet formimit dhe arsimit profesional, qoftë nëpërmjet trajnimeve, për të rritur nivelin dhe cilësinë e shërbimeve”, tha më tej Bregasi. Bregasi shprehet i kënaqur me uljen e TVSH-së, por më shumë lehtësira do të kishin më tepër impakt. Gjithsesi sipas tij, një ministri që i dedikohet turizmit tregon se qeveria e ka në vëmendje këtë sektor.

Artikulli paraprakSHERR NË FAST FOOD, PLAGOSEN ME MJETE PRERËSE DY PERSONA
Artikulli tjetërSHQIPTARI DHUNON ISH-GRUAN NË MES TË PLAZHIT, I THYEN KRAHUN