Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku priti sot në një takim ambasadorin e ri të Gjermanisë, Karl Bergner. Marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes vendeve ishin në qendër të takimit ndërkohë që znj Tabaku vlerësoi rolin e Gjermanisë në lidhje me proceset Euro-Atlantike të Shqipërisë. Ajo theksoikontributin e vazhdueshëm të Bundestagut për përmirësimin e cilisisë së parlamentit shqiptar, sidomos procesit të Integrimit. Në bisedën e tyre, Tabaku theksoi rëndësinë e ligjit të ri që është miratuar për Rolin e Kuvendit në procesin e integrimit. Ky ligj është modeluar në bazë të praktikave të Bundestagut dhe ka sjellë përmirësime të rëndësishme, përfshirë pjesëmarrjen e shtuar të shoqërisë civile.Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Tabaku, theksoi se procesi i integrimit është një çështje kombëtare dhe duhet të përfshijë të gjithë palët e interesuara. Ajo shprehu edhe shqetësimet e shoqërisë civile lidhur me mungesën e konsultimit publik nga qeveria në lidhje me këtë proces. Sikundër dhe shprehu shqetësimet e saj në lidhje me mënyrën sesi qeveria po e trajton këtë proces dhe mungesën e një qasjeje të përgjithshme dhe të hapur, duke lënë jashtë opozitën dhe shoqërinë civile.
Në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, deputetja e Partisë Demokratike shprehu mbështetjen e plotë ndaj SPAK-ut dhe i solli në vëmendje ambasadorit mbrojtjen e pajustifikueshme politike që i është bërë me vite të tëra të dyshuarve dhe të hetuarve nga SPAK-u dhe presionin që i është bërë vazhdimisht kësaj strukture. Tabaku gjithashtu foli për rëndësinë e konsensusit politik në procesin e reformës në drejtësi dhe përmendi kontributin e Partisë Demokratike në miratimin e ligjit për funksionimin e SPAK-ut. Ajo vuri në dukje se një gjë e tillë përsa i takon organeve kushtetuese dhe reformave jetike duhet të të shërbejë si shembull që konsensusi politik duhet të jetë një faktor kyç në proceset e reformave pasuese. Në fund, Tabaku solli në vëmendjen e ambasadorit “Paketën Antikorrupsion” të prezantuar nga ajo nisur nga puna në Komisionin Hetimor për inceneratorët, ku shpjegoi që qëllimi i ndryshimeve të propozuara në paketë janë që të forcojnë zbatimin e vullnetit të parlamentit dhe pakicës parlamentare, për të rritur kontrollin, llogaridhënien por atë çfarë është më e rëndësishme për të rritur përgjegjësinë finale të atyre që do të mbajnë përgjegjësi për shpërdorimin e fondeve publike. Gjatë takimit, u diskutuan edhe shqetësime të tjera, përfshirë dështimin e reformës elektorale, rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS, dhe hetimin nga OLAF për fondet e IPARD.
Përsa i përket Samitit për Procesin e Berlinit që do të mbahet me datë 16 tetor, Tabaku shprehu nevojën që qeveria të përdorë këtë samit dhe procesin si një mundësi për të përfituar nga projekte dhe investime për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe të shfrytëzojë potencialin e plotë duke të mos përsërisë gabimet e të shkuarës.