Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar se “Drejtësia për 12 janarin” nuk është vendosur akoma.
Tahiri u shpreh se janë marrë masat e duhura që “21 janarët” të mos përsëritën më në historinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij ai shprehet se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme pasi fajtorët për këtë tragjedi, ata që vranë, fshinë kamerat e sigurisë, që dhanë urdhrin nuk kanë marrë dënimin e merituar. “Reforma në Drejtësi zgjidh një herë e mirë mundësinë që shteti nëpërmjet gjyqtarëve të korruptuar të vrasë për herë të dytë, si ka ndodhur për fat të keq me familjet e “21 janarit”, që ende sot nuk kanë drejtësi. Pra sot ata që vranë në 21 janar nuk janë dënuar. Ata që fshinë kamerat në 21 janar nga Kryeministria, nuk janë dënuar.
Ata që dhanë urdhër për të vrarë, nuk janë dënuar” u shpreh Tahiri. Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond prej 160 milionë lekë për dëmshpërblimin e familjeve të katër viktimave që humbën jetën në mbledhjen e qeverisë pak para datës së 12 janar, datë kjo e cila përkon me seancën e fundit gjyqësore për tragjedinë. Tahiri u shpreh se është i bindur së ky dëmshpërblim nuk sjell drejtësinë e munguar por lehtëson sado pak dhimbjen e familjeve që kanë humbur familjarin e tyre të vrarë nga shteti. “Kjo është arsyeja pse në mbledhjen më të parë pas datës 12 janar ne morëm vendim për dëmshpërblimin e plotë të të gjitha vendimeve gjyqësore. Kjo nuk bën drejtësi. Kjo lehtëson dhimbjen e familjeve që kanë humbur familjarin e tyre të vrarë nga shteti në 21 janar”, deklaroi Tahiri.
Ministri i Brendshëm ka komentuar edhe deklaratat publike të ish-kryeministrit Berisha. Ai ka akuzuar Berishën si përgjegjësin kryesor që u mori jetën katër protestuesve si dhe gjyqtarët për mos dënimin e fajtorëve, ndërsa shtoi se janë pikërisht këta gjyqtarë që dalin kundër reformës në drejtësi. “Dhe keni pasur së fundi edhe deklarata publike nga ish-kryeministri, i cili ka marrë përsipër urdhër-dhënien për vrasjet në 21 janar, madje ka kërcënuar se po të vijonte akoma më shumë do vriste. Dhe nga ana tjetër për të nxjerr përpara përgjegjësisë gjyqtarët që kryhen një krim të dytë me urdhër të po atyre që dhanë urdhër për të ekzekutuar, duke mos dënuar ekzekutuesit në 21 janar. Dhe nuk është habi për mua që pikërisht ata që dalin sot dhe flasin kundër Reformës në Drejtësi, ata që prononcohen kundër Vetting-ut, ata që prononcohen në emër me demek të shoqatave të gjyqtarëve, kundër Reformës në Drejtësi, janë pikërisht ata që kanë dhënë vendime në 21 janar. Kjo është e papranueshme për ne, por është një motiv më shumë për të shtyrë përpara Reformën në Drejtësi.
Ne jemi angazhuar që drejtësia për “21 janarin” të bëhet”, deklaroi Tahiri. Shkrirja e Gardës së Republikës vijon të mbetet një angazhim për Policinë e Shtetit. Ministri i Brendshëm deklaroi së shpejti do të miratohet një ligj në Parlament ku Grada e Republikës do të transformohet nga një trupë ushtarake në një trup policore, shkruan Shqiptarja.com. “Kemi miratuar një kuadër ligjor të plotë lidhur me sjelljen e institucioneve kryesisht Policia, Garda e Republikës në raport me qytetarin.
Ka qenë angazhimi ynë i hershëm, shkrirja e Gardës së Republikës dhe është një ligj që miratohet shumë shpejt në Parlament lidhur me transformimin e Gardës, nga një trupë ushtarake në një trup policore që do i përgjigjet rregullave dhe normave standardeve të sjelljes së punonjësve me qytetarin”, u shpreh Tahiri. Ndërkohë ai ka komunikuar dhe një lajm i mirë ka ardhur për të gjithë Forcat Speciale. Që prej ditës së sotme RENEA, FNSH dhe trupat speciale do të kenë një sigurim të veçantë shëndetësor, që do të thotë se të gjitha shpenzimet për ta do të mbulohen nga qeveria dhe Ministria e Brendshme. Tahiri deklaroi se do të përpiqet që kjo paketë e veçantë e sigurimeve shoqërore të shtrihet edhe te familjarët e tyre.