Tajlanda ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, ka bërë të ditur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës”.

Vendimi për vizat është futur në fuqi menjëherë. Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme është thënë se qytetarët e Kosovës do të mund të qëndrojnë pa viza në Tajlandë deri në 60 ditë brenda vitit, për qëllime turizmi apo biznesi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit, duke thënë se pasaporta e Kosovës po vazhdon të forcohet.

“Pasaporta e Republikës sonë po vazhdon të fuqizohet përherë e më shumë. Tajlanda i shtohet listës së gjatë të shteteve në të cilat qytetarët tanë nga ky vit mund të udhëtojnë pa viza. Zhvillim e progres brenda vendit. Dinjitet e afirmim jashtë vendit”, ka shkruar Albin Kurti.

Deri më tani, kosovarët kanë mundur të udhëtojnë pa viza në 50 shtete të botës, ndërsa mund të pajisen me viza sapo të mbërrijnë në 39 vende tjera.

Artikulli paraprakVIJOJNË TEMPERATURAT PËRVËLUESE, TERMOMETRI SOT SHËNON DERI NË 43 GRADË CELSIUS
Artikulli tjetërSHQIPTARËT TË DYTËT NË EUROPË ME ORËT MË TË GJATA TË PUNËS, ADMINISTRATA PUNON MË PAK NË JAVË SE TË TJERËT